Gjermania: Kontrollet kufitare janë në linjë me rregullat e BE-së

Gjermania ka insistuar se vendimi i saj për të kryer kontrolle kufitare në kufijtë e saj tokësore që ndan me nëntë shtete, me qëllim që të ndalë migrimin ilegal, është në linjë me rregullat e Bashkimit Evropian.

Berlini nuk do të ndërmerrte masa të njëanshme “që do ta dëmtonin BE-në”, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, pasi Polonia kritikoi vendimin e Gjermanisë dhe BE-ja bëri thirrje për kujdes, pasi argumentoi se kontrollet kufitare mund të aplikohen vetëm si një masë “e jashtëzakonshme”.

Feaser një ditë më herët njoftoi se kontrollet kufitare, që aktualisht aplikohen në kufijtë me Austrinë, Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën, do të zgjerohen edhe në kufijtë me Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Danimarkën. Kjo masë, fillimisht do të jetë në fuqi për gjashtë muaj.

Kryeministri polak, Donald Tusk, e dënoi këtë vendim, duke e cilësuar si “të papranueshëm”. Ai tha se Varshava do të kontaktojë edhe shtete të tjera që preken nga ky vendim i Berlinit “për të zhvilluar konsultime urgjente”.

Por, Ministria e Brendshme gjermane tha se vendimi i Berlinit është në përputhje me ligjet kombëtare dhe evropiane dhe është “veprim i koordinuar brenda Gjermanisë si dhe brenda BE-së”.

Ministria e Brendshme tha se “Gjermania vazhdon të varet në bashkëpunimin e ngushtë me shtetet e saj fqinje, për shembull përmes patrullimeve të përbashkëta dhe qendrave të përbashkëta policore në kufi”.

Autoritetet në Gjermani po përballen me presion që të kufizojnë hyrjen e migrantëve ilegalë, pasi së fundi publiku është zemëruar për shkak të disa sulmeve vdekjeprurëse, të cilat dyshohet se janë kryer nga militantët islamistë.

Partia konservative opozitare, CDU, dhe ajo e ekstremit të djathtë, AfD, po i bëjnë presion koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, që të trajtojë çështjen e migrimit ilegal.

Lexo edhe:  Policia ndërpret kontrabandë me gazin serb në pjesën kufitare të Gjilanit

CDU-ja ka kërkuar hapa më të ashpër për këtë çështje, duke thënë se Gjermania duhet të shpallë “emergjencë” kombëtare dhe që autoritetet të refuzojnë në kufi migrantët që nuk kanë dokumente. Por, ky propozim është refuzuar nga Qeveria.

Ministrja Faeser ka prezantuar një plan, sipas të cilit, policia përkohësisht do të ndalonte azilkërkuesit që veçse janë regjistruar në shtete të tjera të BE-së, teksa autoritetet do të punonin me shpejtësi për t’i kthyer në shtetin e tyre.

Policia në BE ka qasje në data-bazën Eurodac, ku gjenden gjurmët e gishtërinjve dhe të dhëna të tjera për migrantët e parregullt dhe azilkërkuesit.

Ministria e Brendshme gjermane tha se sipas planit të propozuar, policia gjermane pasi do të ndalonte azilkërkuesit në kufi, do të shikonte në Eurodac, nëse personat e ndaluar mund të identifikohen, do t’i ndalonte ata dhe me procedurë të përshpejtuar do t’i dëbonte./REL