Persona të maskuar shihen pranë bllokadës të vendosur në anën serbe të pikëkalimit të Bërnjakut
Persona të maskuar janë parë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës në Bërnjak në mbrëmjen e 6 shtatorit.
Autoritetet kosovare e kanë mbyllur për qarkullim pikëkalimin në Bërnjak pak orë pasi përfaqësues të disa shoqatave serbe bllokuan rrugët në pjesën serbe në tri pikëkalimet kufitare mes dy vendeve të premten pasdite, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se pikëkalimi në Bërnjak është mbyllur për qarkullim pasi persona “të maskuar” janë duke i “ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët” në pjesën serbe të kufirit.