“Ja u rahatofsha tezet”, “mi rrofsh k****”- Zyrtari kontrovers i Telekomit po e zëvendëson përkohësisht në pozitë kryeshefen ekzekutive
Feim Kelmendi, zyrtari kryesor i financave në Telekomin e Kosovës, po e zëvendëson përkohësisht në pozitën e kryeshefes Burbuqe Hanën në këtë ndërmarrje publike.
Këtë e kanë konfirmuar nga Zyra për Informim. Ai njihet për gjuhë degraduese ndaj gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe përkrahje publike për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Kelmendi deri në përfundimin e pushimit të Hanës do të jetë përkohësisht numri një i Telekomit të Kosovës, ndër ndërmarrjet që cilësohen nga më të rëndësishmet nga Qeveria Kurti. Këtë e kanë konfirmuar sot nga Zyra për Informim për Insajderin, pas një prononcimi që ky i fundit dha me shkrim për mediumin.
“Më lejoni të ju përcjell si informatë plotësuese, se Z. Feim Kelmendi, është përgjigjur në cilësinë e zëvendësuesit të Kryeshefes Ekzekutive e cila aktualisht është duke e shfrytëzuar një pjesë të pushimit vjetor“, u tha në përgjigjen e tyre.
Zyrtari kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekom, Feim Kelmendi, është prononcuar lidhur me dënimet që Inspektorati i Punës po ia shqipton ndërmarrjes publike. Ky i fundit e ka akuzuar institucionin që është nën ombrellën e një ministri të VV’së (Hekuran Murati, Ministria e Financave), duke e quajtur “gjobvënës të paligjshëm”.
“E konfirmojmë që Inspektoriati i Punës i ka shqiptuar disa gjoba adminstrative ndaj Telekomit te Kosovës. Këto gjoba i kemi konsideruar të jashtëligjshme dhe jashtë kompentencave të Inspektoriatit te njëjtat i kemi atakuar edhe në gjykatë. Inspektoriati i Punës në fakt ka dalë tërësisht jashtë binarëve të kompetencave që i takojnë me ligj dhe është shndërruar në gjobëvënës të paligjshëm ndaj Telekomit të Kosovës, duke shqiptuar në vazhdimësi gjoba të jashtëligjshme ndaj Telekomit të Kosovë. Arsye për këto sigurisht mund të i dinë vetëm ata”, ka deklaruar Kelmendi në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
Kelmendi në të kaluarën ka bërë deklarata denigruese në drejtim të gazetarëve. S’ka kursyer as qytetarët.
Në një diskutim në Facebook, ai kishte sharë dhe ofenduar disa qytetarë, të cilët kishin ca kritika për të.
“…, mi rrofsh koq*t me axhen”, i’u ka përgjigjur Kelmendi kritikave të një qytetari.
Kelmendi në maj të 2022-ës kishte reaguar me sharje kundër hulumtimit të Gazetës Insajderi “Kryeministri e qet Telekomin jashtë “binarëve”, mban jashtëligjshëm menaxhmentin partiak”.
“Oo juve ju rehatofte hoxha n’tabut! Po cfare lesh rehatie m’ka ba more juve jua rehatofsha tezet”, ka shkruar Kelmendi në shkrimin e Gazetës Insajderi, koment të cilin më pas e kishte fshirë.
Kelmendi s’e ka fshehur përkrahjen për partinë në pushtet asnjëherë. Ndër postimet e shumta pro pushtetit që ai ka në Facebook, më i veçanti ishte ai për kryeministrin Kurti.
Me 21 nëntor të vitit 2022, Kelmendi kishte postuar fotografinë e Kurtit ku shkruante: Foto sa 1 milionë fjalë.
“Qata qe thojnë s’ka zot, ka me jau thy Zoti qafen, kush tjetër pos t’madhit Zot kish ditë me kriju këtë qenie kaq të kompletuar”, shkruante Kelmendi.