Kosovari arrestohet në Serbi nën akuzat se planifikonte sulm në aeroportin e Beogradit, deklarohet i dyshuari
Një qytetar i Republikës së Kosovës është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia serbe, me të hyrë në Preshevë.
Bëhet fjalë për A.Azemi nga Vitia, të cilit policia serbe i tha se për të ekziston urdhërarrest nën dyshimin se ka planifikuar sulm me bombë në aeroportin e Beogradit.
Në një prononcim për Indeksonline, Azemi deklaroi se nga BIA serbe i thanë se një vit më parë, nga numri i tij i telefonit ishte dërguar një mesazh publik se do të organizojë sulm terrorist në aeroportin “Nikola Tesla”.
Pak pa u bërë ora 7 e mëngjesit të sotëm, Azemi u dërgua për intervistim gjashtë orësh në stacion policor, për t’u liruar më pas, në mungesë të provave.
Azemi pohoi se arsyeja e vizitës së tij ishte rekreative, pasi donte të vizitonte Preshevën për qejf, dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem me shtetin apo ligjin.
“Rreth orës 6, 6 e gjysmë, saktë nuk e di, kam kalu kufirin për në Preshevë. E kam kalu kontrollin e pasaportës nga shteti i Kosovës dhe kam viju në pikën kufitare serbe ku edhe është shfaqur problemi. Në atë moment jam largu dhe kam tentu t’iu shmangëm, sepse nuk e kam ditë se ku qëndron problemi e pse po dojnë me më arrestu. Jam ikë dhe jam afru afër policëve të Kosovës, e këta më kanë kthy. Ata më morën e më intervistuan.
Më thanë se kinse kam planifiku sulm. Numri i telefonit i mëparshëm, që e kam pasë para një kohe shumë të gjatë, është identifiku si i imi. Unë e kam pasë atë numër shumë moti, po dikush e ka hapë një e-mail me atë numër dhe e ka bë postimin për sulm. Kush e ka atë numër s’e di veç ata i kanë pa të dhënat dhe kanë ardhë në konstatim se unë e kam. Pas diskutimit dhe mungesës së provave e kuptuan që unë kam numër tjetër dhe nuk jam personi që e ka bërë postimin” tha Azemi.
Azemi deklaroi se nuk iu lejua të marrë kopje të deklaratës, duke shtuar se asgjë personale e tija nuk u konfiskua, njëjtë sikurse edhe nuk u ushtrua dhunë ndaj tij.
Teksa thotë se asnjëherë nuk do të planifikonte një sulm të tillë, Azemi shtoi se nuk i lejuan të marrë avokat mbrojtës dhe se rastin e ka paraqitur edhe në stacionin policor në Viti, me të kthyer në Kosovë.