Alarmante: Dhunohet edhe një grua në Ferizaj, ish i fejuari i saj dyshohet se e dërgoi të alivanosur në motel

Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë është shndërruar në fenomen shqetësues, pasi që pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla. Të dyshuarit shpesh herë janë persona të afërt të cilët ishin ose janë në lidhje dashurie.

Një rast i trishtë ka ndodhur mbrëmë në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka dhunuar seksualisht ish të fejuarën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 29-vjeçarja ka rrëfyer para hetuesve policorë gjithë tmerrin që ka përjetuar në një nga motelet e Ferizajt.

Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e kishte ndjekur nga pas me veturë dhe me të parë se ajo ka marrë një person në veturën e saj, u ka dalë atyre përpara dhe është përleshur fizikisht me personin e tretë.

Si pasojë e kësaj, viktima ishte alivanosur dhe i dyshuari duke e shfrytëzuar situatën e kishte marrë në veturën e tij dhe ishte nisur për në motel, ku edhe dyshohet se e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

29-vjeçari është arritur që të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së sotme janë raportuar edhe dy raste të tjera të dhunimit, ku viktima janë dy vajza të mitura nga komuna e Gjakovës.

Lexo edhe:  Deklarata e fortë e reperit shqiptar në rast se Zvicra humb ndeshjen ndaj Serbisë