Këta janë personat që sulmuan ekipin mjekësor që intervenoi në një rast në Prishtinë

Incidentet e ndryshme që ndodhin në vend jo rrallëherë përcillen edhe ma kanosje e sulme ndaj personave zyrtarë që intervenojnë, që në të shumtën e rasteve janë policë.

Kështu ndodhi edhe mbrëmë në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë, por këtë herë cak ishin punëtorët shëndetësorë.

Dy persona u arrestuan nën dyshimin se kanë kërcënuar dhe sulmuar ekipin mjekësor që kishte dalë në vendin e ngjarjes për të intervenuar në një rast.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Visar Gërvallën dhe Kushtrim Gërvallën, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor.

Fillimisht, i dyshuari Visar Gërvalla, është kapur me zyrtarët e ekipit mjekësor, duke u kërkuar llogari pse kanë intervenuar – ndonëse sipas informacioneve të para, ai ishte personi që kishte kërkuar ndihmë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se posa Policia ka intervenuar, kanë hasur në rezistencë, por që kanë arritur t’i arrestojnë dhe shoqërojnë në stacion policor dy të dyshuarit.

Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

“Dy meshkuj kosovar janë arrestuar për arsye se kishin kanosur dhe sulmuar ekipin mjekësor derisa ishin duke intervenuar në një rast. Po ashtu të dyshuarit i kanë rezistuar edhe policisë gjatë arrestimit.

Një femër kosovare (zyrtare e ekipit mjekësor) ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. “

Lexo edhe:  I riu vdes pasi bie nga kati i gjashtë, ku po suvanonte (VIDEO)