Burri në Pejë rrah brutalisht gruan e tij, zbulohet që posedon edhe armë
Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Sadri Kelmendi’ në Pejë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se qytetarët kanë lajmëruar Policinë se i dyshuari po e rrah gruan e tij në një veturë, me ç’rast të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë marrë deklaratën e viktimës.
37-vjeçarja ka deklaruar se bashkëshorti i saj e kishte keqtrajtuar duke e rrahur dhe se i njëjti posedon armë zjarri, por që nuk e ka përdorur ndaj saj. E njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, për shkak të lëndimeve që ka marrë shkaku i dhunës.
Arma në fjalë është konfiskuar dhe i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.