Patentë shoferët ilegalë në Veri, sot e dje asnjë gjobë e shqiptuar

 

Deri të premten ka qenë afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës.

Të shtunën dhe të dielën ka qenë e paraparë që të ketë njoftime dhe vërejtje, ndërsa nga e hëna është e paraparë që të niset shqiptimi i gjobave.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani tha se dje e sot nuk është shqiptuar asnjë gjobë.

Afati për konvertimin e patentë shoferëve është hapur më 10 maj dhe sipas vendimit të atëhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, afati do të zgjaste deri më 9 gusht, mirëpo ministri Sveçla pas “kërkesave të shumta” shtyu afatin për dy javë.

Ky afat i zgjatur përfundoi të premten e 23 gushtit.

Të nesërmen kryeministri Kurti tha se 6509 shoferë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, tha Kurti

Ai shtoi se kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

“I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces”, tha Kurti.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka falënderuar qytetarët serbë për konvertimin e patentë shoferëve nga ata ilegalë të Serbisë në zyrtar të Kosovës.

“Me 6509 aplikime në gjithë Republikën e Kosovës përfundon afati i konvertimit të patentë shoferëve nga ata ilegal të Serbisë në zyrtar të Republikës së Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe zbatimin e vendimit tonë. U jam mirënjohës stafit të Agjencisë së Regjistrimit Civil për punën e palodhshme gjatë kësaj kohe e në vazhdimësi”, shkroi Sveçla në Facebook.

Lexo edhe:  Arbenita Ismajli: Nganjëherë më vjen turp që jam shqiptare

Vendimi i MPB-së për konvertimin e patentë shoferëve ishte përkrahur nga ndërkombëtarët.