Rasti tragjik në Pejë: Veterani i UÇK-së po punonte në riparimin e liftit, tri vite më parë vajza e tij kishte kryer vetëvrasje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në rrugën ‘Ali Pashë Tepelena’ në qytetin e Pejës, ku si pasojë e një incidenti në ashensorin e ndërtesës, ka mbetur i vdekur 54-vjeçari, Deli Lekaj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur teksa i ndjeri kishte qenë duke punuar për riparimin e ashensorit, e ku më pas kishte rënë në pusetën e tij.

Me të ndodhur tragjedia, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor, me ç’rast mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

E familja Lekaj ishte përballur me një fatkeqësi edhe pak vite më parë. Vajza e familjes, Beharja, në moshën 20-vjeçare kishte vendosur që t’i jepte fund jetës së saj.

Ajo ishte gjetur pa shenja jete në tarracën e një banese në katin e shtatë.

Ndryshe, për vdekjen tragjike të Deli Lekajt, i cili ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë reaguar shumë qytetarë, përfshirë edhe figura të partive politike në vend.

Lexo edhe:  “Jam zgjuar në 05:00 për radhë”, numër i madh i pacientëve në ambulancat e QKUK-së – deri në gjashtë orë pritje