Gruaja që e vrau kunatin në Prishtinë thotë se ishte e kërcënuar vazhdimisht nga ai dhe burri i saj

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarës Nazmije Millaku, 56-vjeçare, për vrasjen e kunatit të saj, Xhevdet Millaku, mbrëmjen e 20 gushtit në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e ka arsyetuar mbi arsyet ligjore pasi ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

E dyshuara para gjykatës ka deklaruar se është me terapi për shërimin e sëmundjes dhe se ka probleme pasi është e traumatizuar.

Ajo gjithashtu kishte deklaruar se ka pasur kërcënime të vazhdueshme nga burri dhe kunati saj, kjo pasi që burri i saj kishte qenë i ndikuar nga kunati, ku edhe e kanë sharë dhe ofenduar vazhdimisht.

Sipas saj, ka pasur ankth dhe depresion, për çka edhe ishte trajtuar dhe ka të gjitha dokumentet mjekësore.

Sipas vendimit për caktimin e paraburgimit, “e pandehura dyshohet se në korridorin e shtëpisë së tyre, për shkak të problemeve familjare, e pandehura me dashje që ta privojë nga jeta kunatin e saj, tani të ndjerin Xh.M ka shtënë në drejtim të tij dhjetë herë me armën e tipit “Girson Compakt MC” ku si pasojë e plagëve të marra i dëmtuari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.”

“…fakt që përcakton edhe karakterin e të pandehurës lidhur me posedimin dhe kontrollimin e armës në shtëpinë e saj, të familjarët e saj, pasi e njëjta nuk kishte pasur ndonjë pozitë të lartë shtetërore, apo të ishte afariste e njohur, apo që do të ishte person i rrezikuar të posedonte armë”, thuhet tutje në arsyetim, raporton Betimi për Drejtësi.

Lexo edhe:  Haradinaj reagon pas kërcënimit të Ministrit të Vuçiqit: Kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë në Ballkan