Bankat në Kosovë pritet të ofrojnë llogari bazike falas për klientët bankar
Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës pritet të hartojë një rregullore përmes së cilës do t’i obligojë bankat në Kosovë që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankar.
Buletini Ekonomik mëson se kjo ide ende është në fazën fillestare dhe se po diskutohen modalitetet më të mira, duke marrë parasysh edhe vendet e rajonit.
Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, e kanë të rregulluar këtë çështje.
Ta zëmë Shqipëria e ka të rregulluar me ligj këtë çështje. Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
Në Kosovë po diskutohen disa opsionem ku njëri nga ta parasheh që disa shërbime bazike të jenë falas.
“Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet ta ketë një llogari bazike falas në njërën nga bankat komerciale”, ka thënë për Buletinin Ekonomik burime të afërta me këtë proces.
Aktualisht kjo çështje është në fazën e diskutimeve brenda anëtarëve të Bordit të BQK-së. Buletini Ekonomik do t’ju mbajë të informuar për risitë.