Kosovarët ‘shfrenohen’ duke gjuajtur me armë nëpër dasma – 53 raste të raportuara vetëm në korrik

Gjuajtjet me armë janë bërë të zakonshme, sidomos kur jemi në sezonin e madh të dasmave, ku kosovarët sikur nuk e harrojnë zakonin që kur kanë ndonjë aheng familjar, marrin armët në duar dhe ‘shfrenohen’ duke qëlluar, por duke harruar se me veprimet e tyre edhe mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm, raporton Gazeta Sinjali.

E një rast i fundit ku një qytetar shihet duke gjuajtur me armë në një dasmë ka ndodhur mbrëmë në Lipjan për të cilin Sinjali ka raportuar ekskluzivisht duke publikuar edhe pamje.

Aty shihet ky qytetar duke qëlluar me armë ku përreth tij shihen shumë dasmorë duke kërcyer e vallëzuar.

E lidhur me këtë rast, Policia ka sekuestruar dy armë zjarri që personat e dyshuar i kanë përdorur dhe ekspozuar në rrjetet sociale.

E pas përfundimit të gjitha procedurave të nevojshme policore ndaj personave të dyshuar është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armës dhe përdorim të armës.

Por se pikërisht në këtë periudhë janë shtuar gjuajtjet me armë, këtë fakt e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjatë muajit korrik 2024, sipas njoftimit lidhur me incidentet e të shtënave me armë në ahengje, Policia e Kosovës ka pranuar 53 raportime nga qytetarët, ka hapur 55 raste, ka konfiskuar 46 armë, ka konfiskuar 472 municione, ka arrestuar 42 persona dhe raporton se 1 person është plagosur.

“Bashkëpunimi është thelbësor në parandalimin e tragjedive që mund të shkaktohen nga gjuajtjet me armë zjarri,” thuhej mes tjerash në njoftimin e MPB-së.

Lexo edhe:  Ky është njëri nga të arrestuarit për fajde që u kap sot në Prizren, para disa muajsh u ndalua për tentim vrasje