“Nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve” – MPB njofton për situatën në Prevallë
Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia për Menaxhimin Emergjent, ka njoftuar se njësitë e zjarrfikësve nga Prizreni, po ndihmohen nga ato të Gjakovës, Prishtinës e Ferizajt për fikjen e zjarrit në Prevallë.
Sipas njoftimit, nuk ka rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Agjencia për Menaxhimin Emergjent, njofton të gjithë qytetarët se në situatën e krijuar nga zjarri në sipërfaqe të hapur në parkun nacional në Prevallë, aktualisht janë në operacione për fikjen e zjarrit nga toka përveç Njësisë së Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Prizreni , edhe Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj.
Gjithashtu MPB/AME ju njofton se rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë.
Prezent në operacion në mbështetje janë edhe Policia e Kosovës, pjesëtaret nga parku nacional Prevallë, Shërbimi Emergjent Mjekësorë nga Prizreni etj.
Nga afër situata koordinohet nga zëvendësministri i MPB-së, z. Blerim Gashani, zëvendës drejtori i AME-së, z. Shefki Abdullahu me staf nga AME, në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën Operative Emergjente 112.
KFOR nuk pritet të intervenojë për shuarjen e zjarrit në Prevallë derisa nuk rrezikohet jeta e njerëzve. Kjo është përgjigjja që KFOR i ka kthyer Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, pasi kërkuan ndihmën e tyre për stabilizimin e situatës në Parkun Kombëtar “Sharri”.