KFOR-i: Qëndrimi ynë është i qartë, çdo vendim në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut

 

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përsëritur qëndrimin e tyre për çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke thënë se çdo vendim duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për Reporterinet, nga KFOR-i thanë se nuk spekulojnë për ndonjë skenar hipotetik lidhur me situatën.

“Ne nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik. Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thanë nga KFOR-i.

Sipas tyre, nuk do të hezitojnë të trajtojnë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.

Sa i përket raportimeve se KFOR-i ka shtuar praninë në Urën e Ibrit, nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thanë se vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth, për të garantuar stabilitet dhe siguri.

“Misioni i KFOR-it mban një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it

Po ashtu, të njëjtit pohuan se KFOR-i vazhdon të zbatojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të OKB-së të bazuar në mandatin e tij të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; duke vepruar si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.

Lexo edhe:  Zbulohet identiteti i personit që dyshohet se sulmoi seksualisht 6-vjeçaren në Prishtinë, publikohen pamjet

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit, është bërë kryetemë tash e disa javë.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin, po insistojnë se ajo duhet të hapet dhe për këtë tashmë kanë filluar përgatitjet, përfshirë edhe testimin e stabilitetit infrastrukturor.

Mbështetje për këtë vendim, Kosova nuk ka gjetur te aleatët e saj ndërkombëtarë.

Shtetet anëtare të QUINT-it, javë më parë shkuan në takim te kryeministri Kurti dhe të njëjtit ia bënë me dije që nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit të urës, tash për tash.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të ekzekutojë ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës së mbyllur në vitin 1999, ndërkohë që KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë këtë.

Ndërkombëtarët kërkojnë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Një vendim për hapjen e urës ishte marrë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar.

Ndonëse Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në dialog që ura të hapet për qarkullim, gjendja reale në terren s’ka ndryshuar. Mbi urë ende ndodhen barrikadat e vendosura dhe e hapur është vetëm një vijë anash për këmbësorë.