Dy aksidente ndodhën mbrëmë në autostrada në më pak se dy orë, tetë të lënduar
Dy aksidente trafiku kanë ndodhur mbrëmjen e së premtes në autostradat e Kosovës.
Si pasojë e këtyre aksidenteve, kanë mbetur të lënduar tetë persona.
Aksidenti i parë ka ndodhur në Autostradën “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prizren Vërmicë, ku janë përfshirë tri vetura.
Rastine ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Rreth orës 20:10, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë drejtimi Prizren-Vërmicë. Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë e aksidentit, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njësia përkatëse policore është marrë me aksidentin”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, aksidenti tjetër ka ndodhur në Autostradën “Arbën Xhaferi”. Edhe këtu kanë mbetur katër të lënduar.
“Rreth orës 21:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradën ‘ArbërXhaferi’ (Ferizaj-Prishtinë). Në aksident janë përfshirë dy vetura dhe si pasojë e aksidentit, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njësia përkatëse policore është duke u marrë me aksidentin”, ka konfirmuar Krasniqi.