Serbët nisin protestën kundër hapjes të Urës së Ibrit, KFOR-i dhe Policia në vend të ngjarjes
Në orën 11:00 ka nisur protesta e paralajmëruar nga serbët lokalë të veriut, të cilët e kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit.
Me nisjen e protestës, janë shtuar njësite të KFOR-it, të cilat janë të stacionuar pranë Urës së Ibrit.
Njëkohësisht ka edhe një numër më të lartë të njësiteve të Policisë së Kosovës që janë angazhuar për siguri.
Protesta është iniciuar nga disa serbë lokalë për të kundërshtuar hapjen e Urës mbi Lumin Ibër.
Ndryshe, kjo urë ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe.
Në periudhën pasluftës, kjo urë ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’u kundërshtuar përpjekjeve të Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.
Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.