Pjesëtarë të EULEX-it e KFOR-it vendosen mbi objekte afër Urës së Ibrit

Mbi objektet në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë, qysh në orët e mëngjesit janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it.

Ndërsa ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë, raporton RTK

Ndërkohë, në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë nga serbët lokalë, të cilët e kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Ndryshe, Veton Elshani, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë.

Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.

Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë për një “tubim madhështor”.

Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i mbrojë serbët.

Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.

“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se asnjë shqiptar nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në Urën e Ibrit”.

Lexo edhe:  Spiunazhja e inteligjencës ushtarake ruse s’lejohet të hyjë në Kosovë, Sveçla: Ka për qëllim destabilizimin e vendit