Publikohet një dokument mbi 80 faqesh me emrat e ish-prestarëve të UÇK-së që Serbia ia ka dorëzuar Interpolit

Është publikuar një dokument mbi 80 faqesh me emra të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilën Serbia ia ka dorëzuar Interpolit e cila është organizata më e madhe e policisë globale, e përbërë nga 194 vende anëtare.

Në dokumentin e publikuar nga mediumi “Top24”, nga Maqedonia e Veriut figurojnë emrat ish-pjesëtarëve të UÇK-së që kanë qenë pjesëtarë të brigadave të ndryshme e të cilët rrezikojnë të arrestohen nëse futen në Maqedoninë e Veriut, meqë në këtë shtet po mbahet në arrest shtëpiak ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani.

Dy ditë më parë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje ish-pjesëtareve të UÇK-së që mos të udhëtojnë nëpër Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Madje Klinaku pati ngritur alarmin se pushteti serb po i freskon listat, duke i futur ish-ushtarët e UÇK-së në Interpol e Europol.

“Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos të mos udhëtojnë nëpër Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, sepse pushtuesi serb vazhdimisht po freskon listat, duke i futur në Interpol ose Europol”, shkroi Klinaku në Facebook.

Ndërkaq ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani në bazë fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar në Interpol nga Serbia u arrestua më 17 korrik në vendkalimin kufitar të Jazhincës. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani në cilësinë e ish-ushtarit të UÇK-së ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.

Ramadani, do të qëndrojë deri më 16 gusht në arrest shtëpiak në RMV dhe pas kësaj gjykata duhet të vendos nëse ndaj tij duhet të nis procedura e ekstradimit apo do të lihet i lirë.

Lexo edhe:  Gjendet e vdekur një grua në Pejë, dyshohet se bëri vetëvrasje duke konsumuar lëndë helmuese!

“Ndërpritet masa e paraburgimit ekstradues ndaj personit Blerim Ramadani nga Republika e Kosovës e caktuar me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake më 18 korrik 2024. Masa e paraburgimit prej 30 ditësh konsiderohet nga data 17 korriku deri më datën 16 gusht 2024. Masa e paraburgimit ekstradues ndërpritet dhe caktohet masa e arrestit shtëpiak”, ka njoftuar Gjykata Penale në RMV.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, kishte potencuar muajin a kaluar se pret që autoritetet maqedonase t’ia ekstradojnë shtetit serb Ramadanin./albanianpost