Gjykata lë në burg të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Ilir Abdullahut, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit, Triumf Riza.

Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, tha për Gazetën Online Reporteri.net se të dyshuarit i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit I.A, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 29.07.2024 ka marr Aktvendim dhe duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.A iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.

Riza u vra në vitin 2007, ndërsa Abdullahu u arrestua pas 15 vjete në Batllavë të Podujevës për përfshirje në vrasjen e ndodhur.

Si shtytës për vrasjen u dënua me 25 vjet burgim Enver Sekiraqa i cili ndodhet në arrati, ndërsa Arben Berisha u ndëshkua me 35 vjet si dorasi që kreu veprën penale.

Lexo edhe:  “Veç paloje ti” – përplasje banale mes dy asamblisteve në Gjilan