51 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, një me fatalitet ku u godit këmbësori 26-vjeçar

Rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion është ngritur si një shqetësim i madh në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për aksidente të shumta dhe në shumicën prej këtyre rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes dhe shkeljes së rregullave. Mesatarja e vdekjeve në trafik, në 21 vjetët e fundit, shkon në 133.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, Policia ka raportuar për 51 aksidente në trafik, njëri prej të cilëve ka qenë me fatalitet.

Një veturë dyshohet se e ka goditur një këmbësor në rrugën “Agim Ramadani” dhe për pasojë, 26-vjeçari Shkumbin Hebibaj, ka humbur jetën.

Shoferja e dyshuar është ndaluar, ndërkohë që për rastin ka dhënë një njoftim edhe sot Policia e Kosovës.

“E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime.”

Kurse 12 aksidente të tjera janë raportuar me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

Lexo edhe:  Ushtroi dhunë ndaj nënës duke i kërkuar para për të blerë drogë, arrestohet 26-vjeçari në Gjakovë