48-vjeçari kanos drejtorin e Ortopedisë së Re në QKUK – ndalohet për 48-orë

Më herët u raportua për një ngjarje e paprecedentë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku drejtori i Ortopedisë së Re, është kanosur në vendin e punës nga një person që kërkonte një dokument në lidhje me trajtimin e një pacienti.

Burimet e Sinjalit brenda klinikës bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur sot, rreth orës 10:15, nga drejtori Xh.G., rreth 56-vjeçar, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar për jetë nga një 48-vjeçar, pasi ky i fundit kërkonte me ngulm një dokument që lidhej me një pacient të afërt të tijin.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Avni Bilalli.

Sipas dëshmisë së drejtorit, i dyshuari i ishte drejtuar me fjalë kërcënuese në ambientet e klinikës, duke e vënë atë në ndjenjë frike serioze për sigurinë personale.

Ngjarja ka ndodhur në prani të stafit, ndërsa tre dëshmitarë – N.K., Xh.S. dhe I.R. – janë intervistuar nga hetuesit dhe kanë konfirmuar pretendimet e drejtorit.

Në lidhje me rastin, janë njoftuar njësitet e hetimeve të SP Jugu në Prishtinë dhe njësia e hetimeve rajonale, ndërsa prokurori kujdestar ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

Rasti është klasifikuar si kanosje serioze dhe aktualisht është nën hetim nga organet kompetente.

Sinjali do të vazhdojë të raportojë me detaje nga kjo ngjarje dhe hetimet në vijim

Lexo edhe:  Aksident në rrugën Podujevë – Prishtinë, Policia në vendngjarje