44-vjeçarit në Klinë i del ‘për hundësh’ ahengu familjar, hajnat ia thyejnë veturën dhe ia vjedhin paratë e armën

Përpos shtëpive private, banesave, bizneseve e institucioneve të ndryshme të cilat janë cak i vazhdueshëm i hajnave, ata syrin e kanë edhe te veturat e qytetarëve.

Edhe në raste kur nuk e marrin veturat në tërësi, i thyejnë ato me shpresë që do gjejnë dhe do marrin ndonjë gjë me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Klinë, ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer një veturë në parkingun e një restoranti.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se gjatë kohës që ishte pjesë e një ahengu familjar, hajnat ia kanë thyer veturën dhe ia kanë vjedhur çantën me para e dokumente personale, si dhe armën që e kishte me leje.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Një veturë bëhen "llom" në Vushtrri, nuk ia qëlloi rrugës