43-vjeçari gjuan me kallash në Artanë, i moshuari nga frika rrëzohet nga shkallët e shtëpisë

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Makresh të Artanës, ku një burrë dyshohet se ka shtënë me armë zjarri të llojit kallashnikov.

Sinjali mëson se nga frika e të shtënave e ka pësuar një person i moshuar, i cili me të dëgjuar krismat është rrëzuar nga shkallët e shtëpisë dhe ka marrë lëndime trupore. 69-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike e AK-47 me fishekë dhe një karikator.

43-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

 

Lexo edhe:  Mozzik ofron 20 mijë euro për qytetarët e prekur nga vërshimet