33-vjeçarja në Gjakovë tenton për të disatën herë të kryejë vetëvrasje, dërgohet në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Gerçinë të Gjakovës, ku një grua dyshohet se ka tentuar që t’i japë fund jetës së saj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’, kanë bërë me dije se 33-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe e njëjta dyshohet se ka konsumuar mbidoze të ilaçeve për qetësim.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë, mirëpo po vazhdon trajtimin mjekësor nën përkujdesjen e mjekëve.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me bashkëshortin e viktimës, i cili e ka gjetur bashkëshorten e tij pa ndjenja në shtëpi.

Bazuar në dëshminë e tij, kjo është e disata herë që viktima tenton t’i japë fund jetës së saj.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.

 

Lexo edhe:  Sulmuan personin zyrtarë, arrestohen tre persona