30-vjeçari në Fushë Kosovë ra nga kati i 10-të i ndërtesës ku po punonte, arrestohet pronari i kompanisë
Dita e sotme e punës nuk doli të jetë e zakonshme si çdo ditë tjetër. I riu R.Rr., 32-vjeçar, është dërguar me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve të rënda që mori pasi ra nga një lartësi e një objekti ku po punonte punë ndërtimore në rrugën ‘Gjergj Fishta’ në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i riu ka rënë nga kati i dhjetë i objektit banesor ‘Model Slovenia’ që është në ndërtim e sipër dhe sipas informacioneve të para, kjo dyshohet të ketë ndodhur për shkak të kushteve atmosferike.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në kuadër të veprimeve hetimore është arrestuar pronari i kompanisë ku punon 32-vjeçari.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për kompaninë ndërtimore, “Qlirimi”, pronar i së cilës është Nazif Xhema.
Xhema është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, si përgjegjës i kompanisë do të hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
I njëjti është dërguar në mbajtje, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Kujtojmë se muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës.