29-vjeçarja në Prishtinë denoncon ish-burrin në Polici, deklaron se ndihet e rrezikuar nga veprimet e tij

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Me një situatë të tillë është përballur dje një grua në Prishtinë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë pas shqetësimeve nga ish bashkëshorti.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se derisa 29-vjeçarja ishte duke shkuar në banesën e saj, ka takuar ish bashkëshortin i cili e ka ndalur dhe ka kërkuar që të diskutojnë për ndarjen e tyre. 32-vjeçari dyshohet t’i ketë thënë se do shkojë lart në banesën e saj, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim te ish partnerja.

Ajo ka deklaruar para hetuesve policorë, se është ndarë nga i dyshuari dy javë më parë, për shkak se i njëjti ushtronte dhunë psikike e fizike vazhdimisht ndaj saj. Ajo ka kërkuar që të pajiset me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, pasi është shprehur se ndihet e rrezikuar nga veprimet e 32-vjeçarit.

I dyshuari po ashtu është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Hajdari: S’shoh arsye për të dhënë dorëheqje, s’kam dyshime te zyrtarët që janë ndaluar sot