24 vite nga zhdukja e Grupit të intelektualëve të Mitrovicës dhe Skënderajt

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar grupin e intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

“Më 19 prill 1999, grupi me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare, derisa po largoheshin për në Mal të Zi, janë ndaluar nga forcat serbe.

Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu për herë të fundit janë parë në fshatin Dreth, në komunën e Zubin Potokut. Me dyshimin për varrezë masive, më 26 gusht 2021 ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, kanë gërmuar në fshatin Dreth, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë. Forcat serbe, pas vrasjes, kanë zhdukur trupat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.

Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

Për zbardhjen e së vërtetës, drejtësi për viktimat e denim për kriminelët e luftës”, ka shkruar Kurti

Lexo edhe:  Vdes në moshë shumë të re, Jashar Mehanja - Policia e konsideron "të dyshimtë"