23 vjet e 9 muaj burgim për 13 ish-policët e veriut të akuzuar për korrupsion, 6 të tjerë lirohen nga akuza

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim në rastin e 20 policëve të veriut, ku 13 prej tyre i ka shpallur fajtor dhe dënuar për korrupsion me 23 vjet e 9 muaj burgim në total, ndërsa 6 prej tyre në mungesë të provave janë liruar nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Zvezdan Spasojeviq është dënuar me tre vjet burgim.

Me burgim prej 2 vjet e 3 muaj është dënuar edhe e akuzuara Blijana Nedelikoviç.

Dënim me burg i është shqiptuar edhe të akuzuarit Milija Milunoviq, në kohëzgjatje prej 1 vit e 10 muaj.

Me nga dy vite burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Albert Maxhuni, Abdurrahim Haxhiq, Ramadan Mustafiq dhe Rashit Kuqi.

Kurse, e akuzuara Jasana Durleviq është dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim.

Ndërsa, të akuzuarit Zenel Bahtiri dhe Ali Pllana janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim.

Dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj u është shqiptuar të akuzuarve Vukadin Tomasheviq dhe Blagoja Lazoviq.

Po ashtu, me 6 muaj burgim është dënuar edhe i akuzuari Burim Marefci.

Sipas aktgjykimit, të dënuarve të lartcekur koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak do t’u llogaritet në dënimin e shqiptuar më burgim.

Sipas aktgjykimit, të njëjtëve u është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik secilit veç e veç në kohëzgjatje prej dy vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Të gjithë të akuzuarit janë shpallur fajtor për kryerjen e veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, të akuzuarit Oliver Kuzmanov, Dejan Spasjeviq, Dragosh Kompiriviq, Zoran Rradunoviq, Blagica Tomoviq dhe Ljubisha Vujinoviq janë liruar nga akuza në mungesë të provave.

Lexo edhe:  Gjakovari rrah gruan 17-vjeçare pasi kërkoi ta dërgojë te familja për festën e Bajramit: Theje qafën

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Ata përveç kryerjes së veprës penal “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” akuzoheshin edhe për veprën penale “Marrje ryshfeti”, por më 20 tetor të këtij viti prokurori special, Burim Çerkimi kishte bërë ndryshim të aktakuzës, duke u tërhequr nga vepra e fundit.

Bashkë me 20 policët e veriut, në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.