22-vjeçari në Suharekë e keqtrajton seksualisht një 14-vjeçar
Një rast tronditës i ka ndodhur një familje në Shirokë të Suharekës, ku djali i tyre 14-vjeçar dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga një person i moshës 22-vjeçare. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur para dy ditësh, por tek dje është raportuar në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se rasti është raportuar në Polici nga nëna e të miturit, e cila ka deklaruar se i dyshuari që tentoi t’ia dhunojë të birin është person i njohur për familjen e saj. Ky rast e ka shokuar atë prandaj ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë menjëherë në veprim dhe kanë nisur kërkimet për ta kapur të dyshuarin. Ai u arrestua në mbrëmje dhe u shoqërua në stacion policor për t’u intervistuar në lidhje me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe kanë nisur hetimet për mbledhjen e provave që dëshmojnë se i ndaluari ka abuzuar seksualisht me fëmijën 14-vjeçar.