2 euroshet false lëshojnë rrënjë në Kosovë, deponohen qindra monedha në ‘TEB Bank’

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i bankës ‘TEB’ në Prishtinë, i cili ka njoftuar se janë detektuar mbi 1 mijë euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për disa qindra monedha 2 euroshe false që dyshohet se janë deponuar nga klientë të ndryshëm në bankë.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë janë pajisur me mjete për detektimin e monedhave false.

Ndryshe, se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në magjistralen e Mitrovicës, 3 persona bëhen për Emergjencë