13 të arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë në Podujevë dhe Prizren, 12 prej tyre zyrtarë të ATK-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e 13 personave të dyshuar për ‘Mashtrimi në detyrë, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se 13 nga të arrestuarit janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një pronar biznesi.

Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Lexo edhe:  Afrona jep lajmin e papritur lidhur me Bleron

Vijon…