108 raste me tuberkulozë në gjashtëmujorin e parë

10 pacientë me tuberkulozë po trajtohen aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë, pranë Qendrës Klinike Univeristare të Kosovës.

Me këtë sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë, gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 108 raste në klinikën e lartpërmendur.

Kjo shifër është binjake me atë të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KP-në thotë se deri në qershor të këtij viti janë paraqitur 84 raste me tuberkulozë pulmonare, 20 me ekstrapulmonare dhe 4 të tjera me atë latete.

Ai vuri në dukje se që nga paslufta janë të furnizuar me barna për mjekimin e tuberkulozës.

“Në përgjithësi gjatë tërë pasluftës, duke iu falënderuar CDF-së dhe Fondit Global gjithmonë kemi qenë të furnizuar me antituberkularë me kohë, edhe tani kemi sasi të mjaftueshme të antituberkularëve për mjekimin e të sëmurëve me tuberkulozë”, u shpreh Hoxha.

Mes tjerash, ai theksoi se Klinika e Pulmologjisë viteve të fundit ka probleme me numrin e vogël të shtretërve.

Hoxha e vlerëson si të nevojshme rritjen e numrit të infermierëve për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve.

“Klinika e Pulmologjisë viteve të fundit vazhdimisht ka telashe sa i përket numrit të shtretërve. Vetëm dy muajt e verës, korrik dhe gusht që jemi të relaksuar sa i përket shtretërve të lirë, kurse gjatë muajve të tjerë të vitit jemi të mbingarkuar dhe thuajse jemi qind për qind me pacientë të shtruar në klinikën tonë”, tha ai.

“Edhe sa i përket stafit të mesëm gjatë tërë kohës, edhe pandemisë së Covidit, kemi pasur nevoja të vazhdueshme për numrin më të madh të stafit të infermierëve. Po ashtu edhe tash vazhdimisht kemi pasur nevojë për numër më të madh të stafit të infermierëve, në krahasim me numrin e shtretërve dhe volumin e punës dhe ngarkesës”, shtoi drejtori i Pulmologjisë për KP.

Lexo edhe:  Ky është i moshuari që u godit nga vetura dje në Gjilan, sot i jepet lamtumira e fundit