1 shtatori i mjegullës, SBAShK’ “sot ka grevë”, Qeveria “shkoni n’shkollë”
Sot është 1 shtatori, data kur nis viti i ri shkollor, por nxënësit kanë një dilemë të madhe; të shkojnë apo të mos shkojnë në shkollë.
Kjo pasi, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ( SBAShK ) e drejtuar nga Rrahman Jasharaj ka ftuar mësimdhënësit që t’i bashkohen grevës.
Ankohen se mësimdhënësit po përballen me vështirësi financiare – gishtin e drejtojnë kah Qeveria që s’i ka lëvizur pagat.
E në anën tjetër, Qeveria e Kosovës iu ka bërë thirrje mësimdhënëseve që ta injorojnë grevën e SBAShk’ut, thonë se “fëmijët po dëmtohen shumë”.
Por Qeveria s’është ndalur veç me thirrje, ka vepruar në drejtim të mësimdhënëseve – pagat e muajit gusht për një pjesë të tyre kanë dalë jo të plota.
Këtë të mërkurën e ka kumtuar ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati.
“Sot është bëtë vetëm pjesërisht ekzekutimi i pagave, për shkak se procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së pagave merr kohë. Mirëpo siç e dini që greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK, ka kriju nevojën që të procesohen edhe llogaritjet nga ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur dhe marrë parasysh që sipas ligjit detyrimi i punëdhënësit gjatë kohës sa punëtori është në grevë, pezullohet, ne kemi marrë për detyrë që të përditësohen listat e pagave”, ka thënë Murati gjatë një konference për media.
E opozita ka qenë e ashpër ndaj këtij veprimi.
“O Albin ndalu ose kanë me të ndalë”, ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, veprimin e Qeverisë për mosekzekutim të plotë pagash e ka cilësuar “paaftësi për të gjetur zgjidhje”, duke shtuar se “Kosova është duke e përjetuar situatën më të rëndë të pasluftës”.
Ndërkaq, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik”.
Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një deklarate në Facebook të mërkurën, kanë kërkuar nga Qeveria dhe Sindikata që të dialogojnë.
Sipas tyre, nga kjo situatë më së shumti dëmtohen fëmijët dhe prindërit.
“Lusim të dyja palët që të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Tashmë është një mjegull se kush do të shkojë në shkollë e kush jo dhe si do të rregullohet kjo çështje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar për këtë problem.
Por më parë ai, në Kuvendin e Kosovës thoshte se zgjedhjet e 14 shkurtit i kanë fituar me sloganin “drejtësi dhe zhvillim” dhe jo “rritje pagash”.
Sipas tij, pagat do të rriten, por jo tash. E nga opozita dhe sindikata po kërkojnë që të miratohet Ligji i Pagave.
Kësaj greve i është bashkuar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura.