Xhafer Tahiri përjashton tre asambleistë pa praninë e kyesisë

Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Vushtrri sonte ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka përjashtuar nga partia asambleistët Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, pasi të njëjtit kanë vouar për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit.

Lajmin e ka konfirmuar LDK përmes një komunikate për media.

“Dega e LDK-së në Vushtrri në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot më datë 14.01.2022, pas situatës së krijuar në Kuvendin Komunal ku 3 asambleistët Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, në 2 mbledhje radhazi, përkundër vendimit të degës së LDK-së ata për interesa personale kanë bashkuar votat me PDK duke votuar fillimisht kryesuesin PDK e pastaj sot edhe KPF.

Kryesia e degës së LDK-së në mbledhjen e sotme vendosi me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm, 12 sosh, largimin e Agron Perçuku, Alban Bajrami e Behar Duraku nga grupi i asambleistëve të LDK-së dhe shkarkimin e tyre nga të gjitha pozitat e tyre në strukturat e LDK-së, për shkak se asambleistët e lartëpërmendur bashkuan votën e tyre me PDK-në, mbështetën zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit dhe zgjedhjen e KPF-së, e në kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së duke e dëmtuar rëndë LDK-në”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

LEXO EDHE:  Përfundon në lumë vetura që u aksidentua në Badovc, tri femra ishin brenda saj

LDK ka njoftuar po ashtu se do ti drejtohet me ankesë MAPL për këtë shkelje siç e kanë quajtur ata të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë.

Por, për këtë mbledhje është shprehur e pa informuar nënkryetarja e degës Rrezarta Krasniqi, e cila njëherit është edhe deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Unë sapo u njoftova përmes mediave për këtë mbledhje dhe konsideroj se për vendime të tilla do duhej të ishte ftuar e gjithë kryesia e partisë”, tha Krasniqi.

Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, kanë pranuar të marrin pjesë në votimin e kandidates së PDK-së për kryesuse të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, duke dalë kundër vendimit të degës së LDK-së në Vushtrri.

Mospjesëmarrja e tyre, do të pamundësonte që PDK përveç kryetarit, post të cilin e fitoi në balotazhin e 14 nëntorit, të ketë edhe kryesuesin e Asamblesë Komunale.

LEXO EDHE:  Përfundon takimi LVV-LDK: Kjo është marrëveshja!

Kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë sot është zgjedhur Melihate Basholli – Latifi, asambleist e PDK-së në këtë komunë. PDK do të ketë dy postet kryesore udhëheqëse në komunën e Vushtrrisë, me kryetar Ferit Idrizin, dhe kryesuese e Kuvendit Komunal, Melihate Basholli – Latifi.

Ndryshe në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 12 anëtarë, ku vetëm 10 nga ta janë nënshkruar për të konfirmuar vendimin për përjashtimin e këtyre asambleistëve derisa pjesa tjetër e kryesisë nuk është njofutar, nga 23 anëtarë sa janë gjithësej.

x