Profesori universitar: Koalicioni në mes të VV’së dhe LDK’së është i vdekur edhe nëse lind

Në një prononcim për Gazeta Metro, politologu dhe Profesori në Universitetin e Prishtinës, Ardian Kastrati, analizon rolin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për arritjen e marrëveshjes për koalicion, transmeton Gazeta Metro.

Kastrati tha se “Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk përfaqësojnë elita energjike për ndryshim, por politikanët që Fan Noli i quante si ” Krimba të verdhë me kokë të zezë që ushqehen me plagët e infektuara të Shqiperisë në lëngim (në rastin tonë të Kosovës )”.

Kastrati tutje tha se procesi i negociatave për ndarje të pushtetit e dëshmon këtë më së miri sepse idealizmin e premtuar gjatë fushatës zgjedhore ata nuk e zëvendësuan me urgjencë në menaxhim e qeverisje, por me betejën e pa kompromis për pushtet. Kurti e Osmani (i pari si frontman dhe e dyta duke vepruar si ‘kolona e pestë’ brenda LDK’së) i keqpërdorën disa idealist symbyllur brenda VV’së dhe i sulmuan politikanët me përvojë 30 vjecare brenda LDK’së, duke e fokusuar publikun te nevoja për me pas “udhëheqës të ri” që flasin në emër të popullit por pa i lejuar qytetarëve të depërtojnë prapa fjalëve të tyre, pra pa u lejuar që në thellësinë e duhur ta njohin karakterin e tyre.

Megjithatë, vazhdon Kastrati, procesi negociator për koalicion i ka shërbyer publikut si një ‘karakteroskopi’ për t’i njohur më mirë karakteret e Kurtit dhe Osmanit. Te karakteri i të parit vërehet nevoja për udhëheqje superiore politike me cdo kusht dhe pa marrë në konsideratë interesin qytetar për themelimin e qeverisë, kurse te e dyta vetprangosja e nënshtrimi ndaj të parit si nevojë për realizimin e objektivit personal karrierist duke e djegur atë partiak dhe pa menduar fare në atë shtetëror. ADN’ja e nevojave të Kurtit dhe të Osmanit në thelb ka interesin patologjik për pushtet dhe asesi interesin e qytetarëve. Po të ishte e kundërta koalicioni do ishte bërë menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Pra, që të dytë nuk përbëjnë përjashtim kulturor nga politikanët që publiku i Kosovës i ka provuar më herët.

Kastrati konstaton se pas kësaj torture që këta po i injektojnë publikut është e qartë që edhe nëse bëhet marrëveshja ky koalicion është i vdekur që në lindje, sepse lufta për dominim të interesave politike e koordinuar me mjeshtëri dhelpërash në mes të Kurtit e Osmanit (dhe jo vetëm) do ta rrezikoj rrëzimin e qeverisë në çdo moment. Kjo do t’i lë të pa adresuara sfidat kryesore të qytetarëve për të cilat arsye ata edhe i votuan duke i besuar një lloj tranzicioni të përspektivave të cilën Kurti e Osmani e shitën me aq demagogji duke e identifikuar si ‘ndryshimi i madh’.

x