MAShTI i gatshëm për mësim online

Ministria e Arsimit po shprehet e gatshme për zhvillimin e mësimit online, në rast se paraqitet nevoja. Gjysmëvjetori i dytë ka nisur me prezencë në shkolla dhe orë të plota, mirëpo thirrje po bëhet që fëmijët mbi moshën 12-vjeçare të vaksinohen në mënyrë që të vazhdohet me këtë skenar.

Zëvendësministri, Dukagjin Popovci në konferencë për media ka deklaruar se numri i fëmijëve të vaksinuar është shumë i vogël. Derisa ka përmendur tre skenarët e tjerë për zhvillimin e mësimit, ai tha se janë të gatshëm që edhe këtë vit të mbahet mësim online.

Pupovci: Edhe këtë vit jemi të gatshëm që mësimi të zhvillohet online nëse ka nevojë

“Edhe këtë vit jemi të gatshëm që mësimi të zhvillohet online nëse ka nevojë. Që nga dita e parë përmes transmetuesit publik emetohen video-mësimet sipas plan programeve prej klasave 1-9 varësisht faktit se a i shfrytëzon apo jo dikush në këto momente, gjithnjë mund të ndodhë që ndonjë shkollë të ketë nevojë të kalojë online. Pastaj të njëjtat video-mësime janë edhe në kanalin zyrtar të MAShT-it në Youtube, si dhe në platformën mësimore shkolla.org, e cila po ashtu mund të përdoret për zhvillimin e mësimit në kohë reale”, ka thënë Pupovci.

LEXO EDHE:  Kush do të zgjedhet kryetar i PDK-së? Flet Sami Lushtaku!

Më tej, ai tha se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve të vaksinuar, por nga informatat përmes shkollave thuhet se ky numër është i vogël.

Pupovci: Ftoj të gjithë fëmijët mbi moshën 12-vjeçare që të vaksinohen

“Vaksinimi është mbrojtja më e sigurt nga pasojat e infeksionit, nëse jo edhe nga vet infeksioni. Shkallën e vaksinimit në mesin e mësimdhënësve e kemi të lakmueshme, diku rreth 95%. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për nxënësit, studentët si dhe komunitetin në përgjithësi. Edhe pse shkalla e vaksinimit në Kosovë është më mirë sesa në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Shfrytëzoj rastin që në emër të Ministrisë së Arsimit t’ju ftoj edhe një herë të gjithë nxënësit 12 vjeç e më sipër, studentët dhe familjarët e tyre të vaksinohen sepse në këtë formë kontribuojnë që institucionet arsimore të mbetën të hapura”, ka thënë ai.

Pupovci ka folur edhe për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Sipas tij, punësimi i tyre do të bëhet në tre muajt e parë të këtij viti.

LEXO EDHE:  Nesër Komisioni për Buxhet mban mbledhje, në rend dite votimi i raportit me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen

Pupovci: Plani është punësimi të bëhet gjatë tre muajve të parë të këtij viti

“Plani është që punësimi i tyre të bëhet gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Për këtë qëllim, ministria i ka njoftuar ditën e djeshme drejtoritë komunale të arsimit për procedurat që duhet të zbatojnë në rastin e punësimit, sepse ata do të punësohen nga drejtoritë komunale. Po ashtu do të ushtrojmë edhe një lloj të monitorimit në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të Financave që të sigurohemi se ky proces po kryhet ashtu siç është planifikuar. Është me rëndësi që këta persona të punësohen dhe të shpërndahen nëpër shkolla në atë mënyrë që të përmbushin kushtet dhe nevojat e fëmijëve që i takojnë kësaj kategorie”, ka deklaruar ai.

Sipas Pupovci, plani i qeverisë mbetet që çdo vit të punësohen nga 100 asistentë dhe se ndarja e tyre në komuna është bërë përmes grantit specifik të arsimit.

Në konferencën e sotme, Pupovci ka deklaruar se gjatë kësaj jave është konstituar Këshilli Kombëtar i Shkencës, i cili ishte emëruar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.

02 Press

02 Press - Portal i lajmeve

x