Bëhuni gati! Sonte nisin reshjet e shiut

Java parashikohet me diell dhe vranësira, në fillim të javës reshje të pakta lokale bore, më pas nga dita e Premte më shumë borë dhe temperatura më të ulëta.

Vendi ynë gjatë kësaj jave do të mbetet nën ndikimin e kushteve të ndryshueshme atmosferike.

Si rrjedhojë, gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku në zonën jugore dhe atë jugperëndimore, pritet të ketë reshje të pakta shiu e bore, ndërsa në mbrëmje, pak para mesnatës, me depërtimin e një fronti të dobët ajror, pritet të ketë reshje bore, kryesisht në zonën veriore dhe atë verilindore.

Gjatë natës, reshjet do të shtrihen edhe në pjesë tjera të Kosovës, të cilat do të jenë me karakter lokal dhe në sasi të pakta, më të përqëndruara në Rrafshin e Kosovës.

Të Martën, pra, pas mëngjesit të hershëm me reshje lokale bore, dita do të karakterizohet me diell dhe vranësira, më të pranishme në pjesën e parë të ditës.

Të Mërkurën dhe të Enjten, do të mbajë mot kryesisht me diell, ku vonë pasdite dhe në mbrëmje gjatë së Enjtes, pritet gradualisht të shtrihen masat e ftohta polare, duke sjellur zhvillime të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë të reshura lokale bore, kryesisht vonë në mbrëmje.

Të Premten do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje bore, të cilat lokalisht do të jenë te fuqishme.

Fundjava do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta polare, ku moti do të karakterizohet kryesisht i vranët dhe me reshje të izoluara bore.

Era do të fryjë do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi 15-70 km/h!

Temperaturat minimale do të luhaten prej -14 deri në -2°C, ndërsa ato maksimale prej -4 deri në 8°C.

x